We Believe JesusFé, Esperança e Nova Vida

John 2

Alb: Albanian Bible · albanês

← John 1 John John 3 →

1Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.

2Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.

3Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''.

4Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''.

5Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''.

6Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.

7Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë.

8Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan.

9Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,

10dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''.

11Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.

12Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.

13Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

14Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;

15dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,

16dhe shitësve të pëllumbave u tha: ''Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!''.

17Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: ''Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!''.

18Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: ''Ç'shenjë na tregon se i bën këto gjëra?''.

19Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!''.

20Atëherë Judenjtë thanë: ''U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?''.

21Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.

22Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.

23Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,

24por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,

25dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç'kishte përbrenda njeriut.

← John 1 John John 3 →